Transmetohet nga Ebu Musa (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u përkul në një vend të ulët, anë një muri dhe urinoi. Pastaj tha: ‘Kur të urinojë dikush prej jush, ta zgjedhë vendin ku e hedh urinën e tij (që të mos hidhen cirka në rroben e tij)’.”
E transmeton Ahmedi dhe Ebu Daudi.
Transmetohet nga Katade; nga Abdullah ibën Serxhis, se ky ka thënë: “I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga të urinuarit në ndonjë gropë (a e çarë në tokë). I thanë Katades: ‘Përse është ndaluar që të urinohet në të?’ Ai tha: ‘Thuhet se ato janë vendbanimet e xhinëve’.”
E transmeton Ahmedi, Nesai dhe Ebu Daudi.
Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ruajuni dy të mallkuarve. Thanë: ‘Kush janë ata, o i Dërguari i Allahut?’ Ai (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: ‘Ai që urinon në rrugën e njerëzve dhe ai që urinon në hijen ku ata pushojnë’.”
E transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ebu Daudi.
Transmetohet nga Ebu Seid el Humejri; nga Muadh ibën Hanbel (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ka thënë: I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ruajuni tre të mallkuarve; atij që urinon aty ku pinë bagëtitë, në mes të rrugës dhe në hijen ku pushojnë njerëzit.”
E transmeton Ebu Daudi dhe Ibën Maxheh, i cili thotë: Ky hadith është mursel.
Transmetohet nga Abdullah ibën el Mugafel se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Askush prej jush të mos urinojë në banjon e tij (vendin ku lahet), e pastaj të marrë avdes aty, pasi që shumica e vesveseve janë pikërisht prej kësaj.”
E transmetojnë të pestë, por fjala e tij: “e pastaj të marrë avdes aty”, gjendet vetëm te Ahmedi dhe Ebu Daudi.
Transmetohet nga Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se: “I Dërguari (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka ndaluar nga të urinuarit në ujin e ndenjur.”
E transmeton Ahmedi, Muslimi dhe Ibën Maxheh.