Teksa tensionet mes fuqive kryesore globale, Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, po përshkallëzohen në rrokopujë, mundësia e shpërthimit të një Lufte të Tretë Botërore përbën një kërcënim serioz dhe real.
Thënë këtë, cilat janë vendet më të sigurta me bunkerë nëntokësorë ku mund të arratisemi, në rast se bota i rikthehet përleshjeve të përgjakshme?
Pikësëpari, në krye të listës qëndrojnë vetë SHBA-të, ku gjejmë me mijëra bunkerë, të ndërtuar fillimisht në kuadër të nismës qeveritare të ndërmarrë gjatë Luftës së Ftohtë për të siguruar fshehjen dhe mbrojtjen e punonjësve federalë, kryesisht në Virxhinian Perëndimore dhe në Pensilvani.
Përreth SHBA-ve, përmendim veçmas Dakotën e Jugut, ku lokalizohen 575 strehëza nëntokësore, që ofrojnë hapësirë për rreth 10,000 njerëz që kërkojnë “të shpëtojnë kokën”. Bazuar në këta tregues sasiorë, SHBA-të mund të klasifikohen për arsye humanitare si “komuniteti më i madh i mbijetesës në tokë në rrethana rreziku”.
E dyta në radhë renditet Zvicra, e cila ruan unikalitetin e saj me një “arsenal” të përbërë nga 300,000 bunkerë, të mjaftueshëm për të strehuar popullsinë prej 8 milionë banorësh të vendit.
Në vitin 1963, legjislacioni zviceran diktonte që zotëruesve të shtëpive mbi një madhësi të caktuar, do t’u duhej të ndërtonin edhe një bunker nëntokësor përkrah saj. Ky ligj u shfuqizua në vitin 2011, por u rimiratua vetëm disa muaj më vonë, në ndjekje të katastrofës bërthamore të Japonisë.
Me më shumë se 170,000 bunkerë që u ndërtuan në nëntokë midis viteve 1960 dhe 1980 gjatë sundimit të udhëheqësit komunist Enver Hoxha, Shqipëria renditet si vendi i tretë më i sigurt në botë, ku mund t’i shpëtosh madje edhe kanosjes së një lufte të trajtave planetare. Sipas “Express”, ka një mesatare prej 5.7 bunkerësh për çdo kilometër katror në Shqipëri.
Po t’i përkthenim shifrat në demografi, rezulton të ketë një bunker për çdo katër shqiptarë.
Megjithatë, këta “rojtarë” u ndërtuar në kurriz të ekonomisë së vendit në një kohë krize të theksuar. Për më tepër, nuk u shfrytëzuan asnjëherë për mbrojtje ndaj sulmeve të një “armiku imagjinar”.