Për të marrë patentën në ditët e sotme është bërë shumë e thjeshtë. Nëse në kohën e komunizmit në Shqipëri shoferi ishte zanat, apo profesion, sot të gjithë janë shoferë dhe me një patentë të kategorisë B nuk je hiç gjëkundi.
Në vitet e shkuara, për t’u bërë shofer, ishte e domosdoshme të ndiqje me përpikmëri një kurs që zgjaste disa muaj, jo vetëm 20 ditë siç është sot dhe dhënia e provimit ishte me të vërtetë e rëndësishme.
Ndoshta edhe atëherë futja e ndonjë miku apo shoku për të dhënë një dorë ndihmë, në mënyrë që djali i filanit apo i fistekut të mos ngelej pa gjë, funksiononte, por sot gjithçka është bërë e frikshme.
Mjafton të gjesh personin e duhur dhe me 500 mijë lekë të vjetra ke në dorë një patentë të kategorisë B, pa shkuar as në leksione, e as të mundohesh që të bësh provimin. E rëndësishme është të paraqitesh vetëm në ditët që caktohen për provim, pastaj për të tjerat mendon paraja që ke paguar hap pas hapi.
Normalisht, sekserët gjendjen në të gjitha anët dhe nuk e kanë aspak problem t’ju ndihmojnë. Por, ka ende nga ata që mundohen të lexojnë teorinë dhe të pregatiten për provimet, pa e menduar alternativën e pagesës së parave.
Kështu, një i ri nga Tirana është hasur me një pyetje aspak normale, teksa ka qenë duke bërë online një test të ngjashëm me atë të provimit zyrtar.
Pyetja është kjo që shikoni më poshtë, pa asnjë lloj kuptimi. Të tilla pyetje, por edhe më keq se këto, bien edhe në provim. Doni të ankoheni? E keni të kot, nuk keni se ku të shkoni apo një person që do të mund t’ju dëgjojë.
Pse? Është e thjeshtë… Sepse ata që duhet t’ju mbrojnë e dëgjojnë, janë pikërisht ata që kërkojnë paratë tuaja…