Dobësimi në shikim te personat e moshuar është i lidhur edhe me jetë më të pakët, bëjnë të ditur studiuesit australianë të Westmead Millennium Institute nga Sydney.

Të dhënat e mbledhura nga 3600 persona të hulumtuar, të cilët në fillim të studimit kanë qenë 49 vjeçar, kanë treguar se prania e vështirësive në shikim, e cila nuk ka qenë e mundur të përmirësohet, është lidhur me deri në 35% rrezik më të madh për vdekje në 13 vitet e ardhshme.

Te personat më të rinj se 75 vjet vështirësitë në të shikuar kanë qenë të lidhura me rrezik dyfish më të madh për vdekje, ka shkruar revista mjekësore Archives of Ophthalmology, transmeton Telegrafi.

Shkencëtarët besojnë se këto rezultate mund të shpjegohen me ndikimin e problemeve me pamjen në vështirësitë për lëvizje, ndërsa lidhen edhe me gjasat për dëmtime më të mëdha fizike dhe izolim shoqëror.

Po ashtu, personat më të vjetër në moshë të cilët lëvizin më pak, shumicën e rasteve ngurrojnë të drejtohen te mjeku edhe kur vuajnë nga sëmundje të tjera.

Ekziston mundësia që vështirësitë në shikim të jenë të lidhura edhe me ushqimin jokualitativ, që mund të sjellë një varg sëmundjesh, thonë shkencëtarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *